Junior Achievement  (JA) është organizata më e madhe në botë, e cila edukon dhe frymëzon të rinjtë për të vlerësuar lirinë e sipërmarrjes, biznesit dhe ekonomisë në dobi të përmirësimit të cilësisë së jetës së tyre.

Programi Junior Achievement (JA) iu mëson të rinjve si të krijojnë biznese të cilat hapin vende të reja pune, si dhe vlerat dhe aftësitë sipërmarrëse që iu vijnë në ndihmë për të gjeneruar të ardhura dhe për t’i menaxhuar paratë e tyre.

Zanafilla e krijimit të Junior Achievement daton në vitin 1916 në SHBA, kur gjatë një konference dedikuar përparimit të të rinjve, lindi ideja e krijimit të “Zyrës së Djemve dhe  Vajzave”, e cila  në vitin 1919 do të shndërrohej në  Zyrën e parë të Junior Achievement. Që prej asaj kohe JA ka mbajtur premtimin për t’i dhënë shpresë dhe mundësi më shumë se 50 milion të rinjve amerikanë, si dhe miliona të rinjve të tjerë në mbarë botën.

Sot, rrjeti i Junior Achievement në botë shtrihet në 122 shtete (jaworldwide.org) dhe përfshin mbi 10.2 milionë të rinj.  Rrjeti europian (ja-ye.org) përfshin 39 shtete anëtare me mbi 4 milion të rinj përfitues. Që nga krijimi i saj në vitin 1919, JA ka patur ndikim në më shume se 10.2 milion të rinj në mbarë botën.