GEN-E Albania: Festivali Kombëtar i Sipërmarrjes 2024
U zhvillua në Tiranë në datat 14-15 Maj 2024, Festivali Kombëtar i Sipërmarrjes 2024. Në këtë Festival u përfshinë 95 nxënës pjesë e 19 Kompanive të Nxënësve JAA, nga 17 shkolla të arsimit të mesëm të lartë në Tiranë, Elbasan, Peshkopi, Berat, Kuçovë, Prrenjas, Korçë dhe Sarandë.
Kompania e Nxënësve është një modul lëndor pjesë e kurrikulës me zgjedhje të Arsimit të mesëm të lartë, që edukon tek të rinjtë parimet dhe aftësitë e sipërmarrjes dhe edukatës financiare, të vëna në praktikë. Nxënësit garuan për nëntë çmime në këtë Festival.
Idetë dhe produktet e biznesit të Kompanive të Nxënësve adresojnë nevoja të tregut dhe specifikisht: 40 % Ekonomi e gjelbër; 34% IT & Inovacion dhe 26% Web&App design. 74% e drejtuesve të Kompanive të Nxënësve në garë janë vajza. Shoqëria Sipërmarrëse më e mirë e vitit 2024 do të përfaqësojë Shqipërinë ne festivalin Europian të Sipërmarrjes që zhvillohet nga JA Europe këtë vit në Catania, Itali.
Festivali Kombëtar i Sipërmarrjes finalizon punën disa mujore të Programit “Kompania e Nxënësve e JAA”, i cili këtë vit arsimor startoi me zhvillimin e lëndës me zgjedhje “Shoqëritë e nxënësve” në 52 shkolla të arsimit të mesëm të lartë për 2,132 nxënës, u pasua me ngritjen e 68 Kompanive të Nxënësve, trajnimin e 132 nxënësve drejtues të këtyre Kompanive dhe përfshirjen e 345 përfaqësuesve të Kompanive në 2 Festivalet Rajonale të Sipërmarrjes të realizuara në Shkodër dhe Vlorë.
Falenderojmë për mbështetjen institucionale të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, si dhe mbështetjen financiare të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim dhe Tirana Bank. Për më tepër, vlen të përmendet se Universiteti Polis dha bursa për dy Kompani Nxënësish, duke nxitur më tej ekselencën arsimore dhe sipërmarrëse.
Kompanitë fituese:
Shoqëria Sipërmarrëse më Mirë e Vitit 2024: EcoEmpathy
Sipërmarrja Sociale: Kaleidos
Plani më i mirë i Marketingut & Shitjes: Buzzy Beez
Shoqëria më e Orientuar Drejt Klientit: Solyntech
Ideja më Novatore e Biznesit: Greeno
Shoqëria “Gati për punë”: VertiCarry
Ndikimi në Komunitet "Dritan Mezini": Shpresa n’zë
Stenda më e mirë 2024: MikroSpark Ads
Alumni i Vitit 2024: Dea Limllari
Mësuesi i Vitit 2024: Ardjana Telhollari
Bursat studiomore nga Universiteti Polis: MikroSpark Ads & HidroVolt