Drejtues për një ditë 2024

43 nxënës nga 29 shkolla të ndryshme të Shqipërisë, që aplikojnë modulin “Drejtues për një Ditë” të JA of Albania janë mirëpritur sot nga 40 drejtues biznesesh, institucionesh dhe organizatash në Tiranë.

2000 nxënës nga 54 shkolla të mesme kanë ndjekur këtë modul për vitin shkollor 2023-2024. 43 më të mirët prej tyre shoqëruan drejtuesit e vërtetë gjatë një dite pune dhe morën pjesë në ceremoninë Gala të shoqëruar nga Ministrja për Fëmijët dhe Rininë Bora Muzhaqi, Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës Keti Luarasi, Bashkëdrejtorët Ekzekutiv të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim. Aleksandër Sarapuli dhe Martin Mata dhe shumë CEO të tjerë dhe drejtues të lartë të bizneseve vendase dhe korporatave të huaja në Shqipëri.

Për të qenë të suksesshëm në tregun e punës dhe për të përballuar sfidat në këtë ambient në ndryshim të vazhdueshëm, të rinjtë duhet të përfitojnë përmes arsimit edhe aftësi praktike si kreativiteti, puna në ekip, vendosmëria, vetëbesimi, apo aftësia për të marrë vendime e përgjegjësi, gjë që përbën edhe një nga synimet e këtij angazhimi të JAA.