U zhvillua në Vlorë në datën 03 Maj 2024, Festivali Rajonal i Sipërmarrjes organizuar nga Junior Achievement of Albania me mbështetjen institucionale të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Bashkisë Vlorë si dhe mbështetje financiare të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim dhe Tirana Bank. Në këtë Festival u përfshinë 170 nxënës pjesë e 34 Kompanive të Nxënësve JAA, nga 20 shkolla të arsimit të mesëm të lartë në Tiranë, Gramsh, Berat, Kuçovë, Librazhd, Prrenjas, Elbasan, Tepelenë, Sarandë.
Kompania e Nxënësve është një modul lëndor pjesë e kurrikulës me zgjedhje të Arsimit të mesëm të lartë, që edukon tek të rinjtë parimet dhe aftësitë e sipërmarrjes dhe edukatës financiare, të vena në praktikë.
Idetë dhe produktet e biznesit të Kompanive të Nxënësve adresojnë nevoja të tregut dhe specifikisht: 40 % ekonomi e gjelbër; 34% IT & Inovacion dhe 26% Web&App design. 74% e drejtuesve të Kompanive të Nxënësve në garë janë vajza.
Festivali Rajonal i Sipërmarrjes pasqyron punën disa mujore të Programit “Kompania e Nxënësve e JAA”, i cili këtë vit arsimor startoi me zhvillimin e lëndës me zgjedhje “Shoqëritë e nxënësve” në 52 shkolla të arsimit të mesëm të lartë për 2,132 nxënës, u pasua me ngritjen e 68 Kompanive të Nxënësve dhe trajnimin e 132 nxënësve drejtues të këtyre Kompanive.