Programi i Inkubimit dhe Akselerimit Junior UP 3.0 është një vazhdimësi e suksesit të 2 kohortave të mëparëshme, prej të cilave 7 startupe të rinjsh janë mbështetur financiarisht dhe me ekspertizë për të kthyer idetë e tyre në biznese të suksesshme dhe qëndrueshme.
JUP 3.0 është një program intensiv i përbërë prej 5 sprintesh të drejtuara kryesisht nga ekspertë ndërkombëtarë në bashkëpunim me SwissEP dhe ekspertëve lokal më të suksesshëm. 8 startupet pjesë e kohortës së 3të, menjëherë pas Selection Bootcamp u përfshinë në dinamikën e sprinteve:
Qasja Lean Canvas dhe Kuadri Ligjor i Startup-eve në Shqipëri,
Përputhshmëria mes Problemit dhe Zgjidhjes (Problem-Solution Fit),
Zhvillimi i një strategjie për të dalë në treg (Go to market strategy)
Ndërtimi i marrëdhënieve me investitorët,
Prezantimi përpara investitorëve dhe palëve të interesuara.
Në më shumë se 50+ orë workshope dhe 70+ orë mentorime, 8 startupet arritën të diskutojnë, ngrenë hipoteza dhe plane konkrete se si të ndërtojnë startupe dhe biznese me në qendër klientin, sipas modeleve më të mira ndërkombëtare. Ekpsertiza dhe njohuritë e thella të ekspertëve ndihmuan sipërmarrësit e JUP 3.0 se si të vizionojnë kompani të cilat nisjen e kanë në tregun shqiptar por synojnë t’i shërbejnë edhe tregjeve ndërkombëtare.
Pas 5 sprintesh me mentorime dhe workshop-e, testimeve dhe prototipeve, 7 startupe do të mund të tregojnë potencialin e tyre përpara jurisë investitorë për të përfituar mbështetje financiare dhe teknike përmes Junior Achievement of Albania. Demo Day do të zhvillohet në datën 13 Qershor në ambjentet e Qendrës Piramida.