U zhvillua në Tiranë në datat 25-26 Maj 2023, Festivali Kombëtar i Sipërmarrjes 2023 organizuar nga Junior Achievement of Albania me mbështetjen institucionale të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, si dhe mbështetje financiare të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim dhe Tirana Bank. Në këtë Festival u përfshinë 125 nxënës pjesë e 25 Kompanive të Nxënësve JAA, nga 17 shkolla të arsimit të mesëm të lartë në Tiranë, Elbasan, Malësi e Madhe, Peshkopi, Kuçovë, Librazhd, Prrenjas, Sarandë, Fier.
Kompania e Nxënësve është një modul lëndor pjesë e kurrikulës me zgjedhje të Arsimit të mesëm të lartë, që edukon tek të rinjtë parimet dhe aftësitë e sipërmarrjes dhe edukatës financiare, të vena në praktikë.Idetë dhe produktet e biznesit të Kompanive të Nxënësve adresojnë nevoja të tregut dhe specifikisht: 40 % ekonomi e gjelbër; 12% shërbime; 40% IT & Inovacion dhe 8% Web&App design. 71% e drejtuesve të Kompanive të Nxënësve në garë janë vajza.
Kompania më e Mirë e Sipërmarrjes 2023 do të përfaqësojë Shqipërinë ne festivalin Europian të Sipërmarrjes që zhvillohet nga JA Europë këtë vit në Stamboll, Turqi.Festivali Kombëtar i Sipërmarrjes finalizon punën disa mujore të Programit “Kompania e Nxënësve e JAA”, i cili këtë vit arsimor startoi me zhvillimin e lëndës me zgjedhje “Shoqëritë e nxënësve” në 56 shkolla të arsimit të mesëm të lartë për 2,532 nxënës, u pasua me ngritjen e 70 Kompanive të Nxënësve, trajnimin e 145 nxënësve drejtues të këtyre Kompanive dhe përfshirjen e 331 përfaqësuesve të Kompanive në tre Festivalet Rajonale të Sipërmarrjes të realizuara në Gjirokastër, Korçë dhe Lezhë.
Jo vetëm lënda “Shoqëritë e nxënësve” por edhe trajnimet e festivalet rajonale e Kombëtare të zhvilluara nga JAA u kanë dhënë të rinjve njohuri e aftësi si sipërmarrës, të cilat do ti shoqërojnë gjatë rrugëtimit si përgjatë arsimimit të tyre në vijim, por edhe në tregun e punës apo sipërmarrjet e tyre të ardhme.Juria vizitoi stendat, duke u angazhuar me pjesëmarrësit, duke vlerësuar punën e tyre dhe në fund, duke përzgjedhur fituesit. Çmimet janë si më poshtë:
Sipërmarrja më e Mirë e Vitit 2023: Fistrat
Sipërmarrja Sociale: Der M'Der
Kompania Gati për Punë: KacamisTri
Ideja më Inovative e Biznesit: Solar
Plani më i Mirë i Marketingut & Shitjeve: Re-note
Kompania më e Orientuar drejt Klientit: Lightlo
Alumni Award 2023: Alba Lloshi
Një duartrokitje e madhe për të gjithë për përpjekjet e tyre përgjatë këtij viti!