Hapësirë për të eksploruar profesionet dhe të ardhmen në tregun e punës

Lojërat, garat, improvizimet, si dhe kërkimi për fusha e profesione të ndryshme i angazhuan nxënësit e shkollës "Kozma Gj. Basho" gjatë aktivitetit “Dita e Karrierës”, një format i zbatuar nga JA of Albania në shkolla 9-vjeçare për tu dhënë mundësi nxënësve të  eksplorojnë fushat e ndryshme të karrierës për të nisur procesin e të menduarit dhe krijimit të ideve sa më të qarta se çfarë do të duan të bëjnë në të ardhmen.

28 nxënësve të klasave të 8-ta dhe të 9-ta dhe mësuesve të kësaj shkolle ju bashkuan në këtë aktivitet përfaqësues nga gjimnazet e përgjithshme dhe atoprofesionale të qytetit të Pogradecit dhe Korçës, Zyra e Punës në Korçë, Qendra Kulturore e Fëmijëve Pogradec, Zyra Arsimore Pogradecit, si dhe përfaqësues nga sektori privat.

Prezantimet nga shkollat e mesme të përgjithshme e profesionale, nga përfaqësuesit e Zyrës së Punës dhe komunitetit të biznesit krijuan për nxënësit një hapësirë të nevojshme për tu njohur me shkollat që mund të ndjekin pas përfundimit të arsimit 9 vjeçar, por edhe me shërbimet e hapësirat e punësimit që ekzistojnë.

Të gjithë pjesëmarrësit, nxënës, mësues e përfaqësues të institucioneve të ndryshme vlerësuan angazhimin e JAA në këndvështrimin e edukimit për karrierën të të rinjve dhe theksuan nevojën për ta përhapur këtë format edhe në shkolla të tjera.