24 Kompani të ngritura nga 125 nxënës të 22 shkollave të mesme, publike dhe jopublike në Shqipëri, konkuruan me idetë e produktet e tyre në “Panairin dhe Konkursin Kombëtar të Kompanive të Nxënësve JAA 2022” të zhvilluar nga Junior Achiemevent of Albania më 28 Qershor 2022.
Kompanitë konkuruese ishin pjesë e 59 Kompanive të Nxënësve që aplikuan pranë JAA me idetë e tyre të biznesit në fillim të këtij viti dhe që i zhvilluan e zbatuan konkretisht ato të mbështetura nga mësuesit e tyre, mentorët e komunitetit të biznesit, si dhe përmes një cikli trajnimesh të zhvilluara nga JAA në mbështetje të tyre.
Panairi dhe Konkursi Kombëtar i Kompanive të Nxënësve është pjesë e angazhimit të vazhdueshëm të Junior Achievement dhe “Fondit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim” për të mbështetur edukimin financiar të të rinjve në Shqipëri në partneritet me Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve, si përmes moduleve lëndore të JA, ashtu edhe aktiviteteve jashtëshkollore, siç është programi i “Kompanisë së nxënësve”. Gjatë vitit arsimor 2021-2022, 85 shkolla të arsimit të mesëm të lartë në Shqipëri dhe rreth 5.000 nxënës morën njohuri përmes moduleve me zgjedhje “Shoqëria e Nxënësve” dhe “Drejtues për një Ditë”.
Zv. Ministrja e Arsimit znj. Nina Guga, në fjalën e saj në ceremoninë hapëse të këtij Panairi theksoi: - “kam besimin se jo vetëm 24 kompanitë sot, por në vazhdim do kemi sipërmarrës të shkëlqyer e nxënës që do të përballen me sfidat e kohës e punës. Suksesi juaj sot përkthehet në suksesin që ju do keni nesër”.
“Në një konkurs nuk ka asnjëherë humbës. Merreni këtë si një eksperiencë shumë të mirë, falë AADF dhe Junior Achievement, për ta vijuar atë më pas. Jam shumë e lumtur që sa herë bëhemi bashkë me Ministrinë e Arsimit dhe AADF, sjellim projekte shumë të mira, inovative, që do t’iu shërbejnë brezave të mëvonshëm”, - theksoi zv. Kryetarja e Bashkisë.
Panairi Kombëtar, si dhe 3 Panairet Rajonale të zhvilluara në Prill-Maj të këtij viti u dhanë mundësi 277 nxënësve, pjesë e 59 Kompanive nga 42 shkolla të mesme në Shqipëri për të demonstruar njohuritë për sipërmarrjen që ata kanë marrë dhe kanë praktikuar, si dhe po vlerëson arritjet më të mira mes tyre.
Një Juri Kombëtare e ngritur, e përbërë nga 6 pjesëtarë të komunitetit të biznesit, intervistoi më 7 qershor 2022 dhe vlerësoi Kompanitë konkuruese bazuar në kriteret e inovacionit dhe sipërmarrjes, produkti dhe fokusi tek klienti, performanca financiare, planifikimi dhe administrimi i kompanisë, si dhe aftësia për të demonstruar arritjet në të mësuar.
Juria vlerësoi:
Me çmimin "Kompania Gati për Punë" - Epoxy Art
Çmimi: "Plani më i mirë i marketingut dhe shitjes" - Posterum
Çmimi: "Sipërmarrja Sociale" - Fauve
Çmimi: "Ideja më novatore e biznesit" - Plantech
Çmimi: "Kompania më e orientuar drejt klientit" - Puff Pets
Çmimi: "Kompania Sipërmarrëse më e mirë e vitit JAA 2022" - Nexus
“Tirana Bank, si pjesë e Balfin Group është krenare që morri pjesë si sponsor në këtë event dhe shpreh mirënjohje për pjesëmarrjen tuaj me idetë inovatore”, - theksoi z. Idlir Mezini gjatë dhënies së çmimit të Kompanisë “Nexus”.
Kompania “Nexus”, fituese e çmimit kombëtar do të përfaqësojë Shqipërinë në Festivalin Europian të Sipërmarrjes “#Gen-E2022” që do të zhvillohet në 12-15 korrik 2022 në Talin, Estoni. Ky festival zhvillohet më pjesëmarrjen e Kompanive Fituese të 40 vendeve të Europës dhe kurorëzon kompaninë më të mirë të vitit në nivel europian.