Nga një Ide në një Startup: Rrugëtimi i LookUp Parking me mbështetjen e Junior Up

LookUp Parking është një nga historitë frymëzuese që dëshmojnë fuqinë e një ideje të mirë, por edhe mbështetjen e duhur. I krijuar nga alumni të Junior Achievement of Albania, ky startup sot po ndryshon mënyrën si e përjetojmë parkimin urban në Tiranë.

Pas një rrugëtimi intensiv në Junior Up, programin e inkubimit të startupeve nga Junior Achievement of Albania, themeluesit e LookUp Parking prezantuan idenë dhe prototipin e tyre para një jurie ekspertësh gjatë Junior Up 3.0 Demo Day dhe fitoi 10,000 euro financim për të kthyer konceptin e tyre nga ide në një produkt të vërtetë.
Sot, falë përkushtimit të ekipit dhe mbështetjes së marrë, LookUp Parking është kthyer në një zgjidhje inovative për sfidat e parkimit në qytet.

Në këtë rrëfim, themeluesit e LookUp Parking ndajnë me ne historinë e tyre, eksperiencën me Junior Achievement dhe programin e inkubimit të startupeve Junior Up, dhe sfidat e para të ndërtimit të një startup-i të vërtetë.

Xhurian Shaba, Delin Spahiu, Alvi Palloshi - Themeluesit e Lookup Parking gjatë trajnimeve të Junior Up 3.0

Do të na pëlqente të dëgjonim historinë e LookUp Parking – si lindi ky startup?

"Ideja për LookUp lindi në një mënyrë krejt spontane, por shumë domethënëse," tregon Delin Spahiu, njëri prej themeluesve.
"Ishte koha kur mes planifikimeve për pushime, po përdorja Airbnb për të rezervuar një apartament. Banesa ishte në një zonë problematike për parkim, ndaj më lindi pyetja: Po sikur ta jepja garazhin me qira gjatë kësaj kohe? Sa të ardhura mund të gjeneroja? Kjo ishte 'ndezja e llambës' për ne. Pikërisht momenti kur kuptuam se ekzistonte një potencial i madh i pashfrytëzuar në hapësirat urbane bosh.

Me këtë ide në mendje, u bashkuam si ekip me pasion për teknologjinë dhe zgjidhjet praktike. Ditët e para ishin të mbushura me brainstorming, skica konceptuale dhe takime të panumërta në kafene. Një moment që na ka mbetur në mendje është hera e parë që funksionoi rezervimi përmes prototipit. Qe një ndjesi e papërshkrueshme suksesi dhe motivimi për të vazhduar përpara.

Në këtë fazë, krahas nesh, një rol të rëndësishëm në zhvillimin e produktit luajtën edhe anëtarë të tjerë të ekipit; Mario Vukzaj si UI/UX Designer dhe Iseld Muca si Hardware Engineer, të cilët kontribuan në kthimin e idesë në një zgjidhje funksionale dhe të përdorshme.”

Lidhja me Junior Achievement dhe Rrënjët e Mendësisë Sipërmarrëse

Le të flasim për lidhjen tuaj me Junior Achievement of Albania. Si ndikoi pjesëmarrja në programet e JAA në mënyrën se si e shihni sipërmarrjen? A ka momente specifike gjatë programit që ju kanë ndihmuar të formësoni vizionin tuaj apo ju kanë dhënë aftësitë e nevojshme për të ecur përpara?

Junior Achievement ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm në mënyrën se si e shohim sipërmarrjen. Junior Up-i për ne nuk ishte thjesht një program trajnimi por ishte një përvojë që na ndihmoi të zhvillojmë mendësinë e duhur për të ndërmarrë rreziqe të menduara dhe për të parë biznesin si zgjidhje e një problemi real të cilin ne tashmë e kishim identifikuar plotësisht.

Gjatë programit, patëm momente që na sfiduan të dilnim nga zona e rehatisë, të prezantonim idetë tona para njerëzve me shumë përvojë në fushën e sipërmarrjes por edhe të përballonim pyetje të vështira. Kjo na ndihmoi të qartësonim vizionin tonë, të përmirësonim komunikimin dhe të zhvillonim një model biznesi më të qëndrueshëm.

Na intereson veçanërisht përvoja juaj në programin Junior Up. Si ishte ajo periudhë për ju? Çfarë mësuat nga mentorët? A pati momente sfiduese që ju ndryshuan qasjen ndaj biznesit tuaj? Dhe a ju ndihmoi ky program inkubimi për të kaluar nga ideja në një startup funksional?

Junior Up ishte një pikë kthese për LookUp. Na ndihmoi të kalonim nga një ide entuziaste në një startup të strukturuar. Puna me mentorët ishte një përvojë unike sepse ata nuk na dhanë vetëm këshilla, por na detyruan të mendojmë më thellë, të analizojmë çdo vendim dhe të jemi më të vetëdijshëm për rrugën që po ndërmerrnim.

Një nga momentet më sfiduese ishte kur duhej të ridizajnonim komplet mënyrën si prezantonim produktin për ta bërë më të kuptueshëm dhe më tërheqës për përdoruesit. Ishte shumë e vështirë, por na ndryshoi qasjen ndaj gjithë zhvillimit të platformës dhe e shndërroi atë në një zgjidhje të vërtetë të tregut.

Junior Up 3. 0 - Demo Day

Evolucioni i Produktit dhe Ndikimi i Përdoruesve

A ka diçka që ju ka habitur në ndërveprimin me përdoruesit tani që app-i është live dhe po përdoret? Cilat janë risitë që po mendoni të implementoni në të ardhmen?

Që nga dita e parë, LookUp Parking ka kaluar nëpër një proces të vazhdueshëm përmirësimi. Nga një koncept i thjeshtë për dhënie me qira të garazheve, ata kanë ndërtuar një platformë të integruar që ofron:

  • Teknologji smart

  • Pagesa online

  • Algoritëm çmimesh dinamike

  • Siguri të garantuar për vendparkimin

Na ka befasuar reagimi i përdoruesve – kanë qenë entuziastë për lehtësinë e përdorimit dhe kanë sjellë ide të reja që nuk i kishim menduar. Në planet e së ardhmes përfshihen integrimi i inteligjencës artificiale për parashikimin e disponueshmërisë së parkimeve, zgjerimi në qytete të tjera dhe ndërtimi i partneriteteve me institucione publike.

Duke pasur parasysh përvojën tuaj, çfarë do t’i thoshit vetes suaj kur ishit në fillim të këtij rrugëtimi? Cilat janë disa mësime të vlefshme që keni mësuar gjatë kësaj kohe dhe që do t’u rekomandonit të rinjve që po mendojnë të ndjekin rrugën e sipërmarrjes?

“Nëse do t’i flisja vetes së atëhershme, do t’i thoja: Mos e prit momentin perfekt – fillo tani dhe përmirëso rrugës. Perfeksioni është shpesh armiku i progresit. Mësimi më i madh ka qenë se çdo pengesë është një mundësi për të mësuar diçka të re.

Rekomandimi ynë për alumnit e JAA, por edhe për gjithë të rinjtë, është që mos të kenë frikë të dështojnë. Dështimi është pjesë e suksesit. Gjithashtu, rrethojeni veten me njerëz që ju besojnë dhe që ju shtyjnë përpara – një ekip i mirë është thelbësor. Dhe mbi të gjitha, zgjidhni një problem që ju dhe të tjerët e ndjeni çdo ditë. Aty fshihet potenciali më i madh.

Sfida e Radhës: Rritja e Numrit të Hapësirave të Parkimit

“Ndërkohë që interesi nga ana e shoferëve (parkuesve) është rritur ndjeshëm dhe kemi një bazë aktive që kërkon çdo ditë zgjidhje të shpejta për parkim, sfida aktuale që po adresojmë është rritja e numrit të ofruesve të hapësirave. Kemi identifikuar një potencial të madh në hapësirat ekzistuese, por jemi ende në proces të ndërtimit të besimit dhe vetëdijes te pronarët privatë dhe institucionet.

Aktualisht jemi duke integruar hapësira të reja parkimi në platformë dhe jemi në diskutime me disa nga parkimet më të mëdha në Tiranë për t’i bërë ato pjesë të rrjetit tonë. Njëkohësisht, ftojmë çdo individ që ka një garazh, post apartamenti, parkim biznesi apo hapësirë të ngjashme, të ofrojë vendin e tij në LookUp dhe të gjenerojë të ardhura – me kohën dhe kushtet që ai vetë vendos.

Kjo qasje fleksibile jo vetëm që rrit ofertën e parkimeve në qytet, por u jep njerëzve mundësinë të përfitojnë ekonomikisht nga hapësirat që ndryshe do të qëndronin bosh.”

🚀 Shkarko aplikacionin LookUp Parking

Zgjidh parkimin në mënyrë të zgjuar dhe ndihmo në ndërtimin e një qyteti më të lëvizshëm!
Shkarko tani aplikacionin LookUp Parking