Inspirojmë dhe Përgatisim Drejtuesit e së Ardhmes

40 nxënës nga 14 shkolla të ndryshme të Shqipërisë, që aplikojnë modulin “Drejtues për një Ditë” të JA of Albania u mirëpritën gjatë ditës së 24 Prillit 2023 nga 36 drejtues biznesesh, institucionesh dhe organizatash në Tiranë.

Është kthyer tashmë në traditë që JA of Albania në partneritet me biznesin, institucionet dhe organizatat u krijon çdo vit hapësirë të rinjve për të ndjekur në një ditë pune një drejtues ekzekutiv për të prekur drejtpërdrejtë jo vetëm mjedisin e punës, por edhe proceset e marrjes së vendimeve, drejtimit e menaxhimit të suksesshëm.

“Është e jashtëzakonshme të shikosh që në mbi 10 vjet mbi 18.000 nxënës në gjithë Shqipërinë e kanë ndjekur këtë program dhe ne sot jemi në një festë e me mirënjohje u themi faleminderit drejtuesve të bizneseve, institucioneve, organizatave që i pranuan këta djem e vajza dhe ju dhanë një frymë, i dhanë një shije se si duhet të jetë një ditë rreth drejtuesve, mbi të ardhmen, mbi sfidat e drejtimit”- theksoi z. Martin Mata, Kryetar i Bordit të JAA gjatë mbremjes së organizuar në përmbyllje të angazhimit njëditor të të rinjve pranë 36 drejtuesve që ju bashkuan këtij angazhimi të JAA.

Znj. Guga, CEO i JAA theksoi në fjalën e saj se “për të qenë të suksesshëm në tregun e punës dhe për të përballuar sfidat në këtë ambient në ndryshim të vazhdueshëm, të rinjtë duhet të përfitojnë përmes arsimit edhe aftësi praktike si kreativiteti, puna në ekip, vendosmëria, vetëbesimi, apo aftësia për të marrë vendime e përgjegjësi, gjë që përbën edhe një nga synimet e këtij angazhimi të JAA”.

Këtë vit arsimor moduli  “Drejtues për një Ditë” është zhvilluar në 52 shkolla të arsimit të mesëm të lartë dhe rreth 2000 të rinj të mbështetur nga 53 mësues kanë marrë dije dhe aftësi që do ti shoqërojnë në tregun e punës.