Rreth 240 studentë të klubeve të debatit të 13 Fakulteteve dhe Universiteteve në Shqipëri u përfshinë në trajnimet e zhvilluara gjatë muajit mars nga Junior Achievement of Albania, të cilat patën në fokus zhvillimin e njohurive dhe aftësive të studentëve në fushën e debatit konkurues dhe më tej mbi zhvillimin e mendimit kritik, te hulumtuarit dhe shkruarit akademik, në mënyrë të sigurtë për të zhvilluar punimet e tyre akademike dhe përgatitjen e argumentave ne debat. Ky bllok trajnimesh përfaqëson një nga shtyllat kryesore të trajnimeve për rritjen e kapaciteteve të studentëve. Katër javë të fokusuara mbi botën e debatit, studentët dhe më gjerë, në disa trajnime interaktive të cilat kishin të bënin me gjenerimin e ideve të reja, rritjen e aftësive, njohjet e reja dhe kalimin e një kohe të “cilësisë së mirë”.
Në kuadër të projektit “3E-English- Entrepreneurship-Employability” në bashkëpunim me Ambasadën Amerikane në Tiranë, Junior Achievement pati mundësinë të trajnojë ekipet e klubit të debatit të 4 Fakulteteve të Gjuhëve të Huaja të Universiteteve në Shqipëri në Durrës, Tiranë, Elbasan dhe Korçë, lidhur me formatin e debatit dhe vlerat kryesore të tij. Studentët u njohën me një format specific të debatit konkurues dhe rregullat e veçanta që zbatohen në të, duke filluar nga rendi i të folurit deri te procesi i argumentimit dhe kundërshtimit.
Krahas kësaj, 9 Universitete pjesë e programit nga Tirana, Durrësi, Elbasani, Korça, Vlora dhe studentë nga klubet e debatit të 4 Fakulteteve të Gjuhëve të Huaja u trajnuan në lidhje me elementët kryesorë të debatit si mendimi kritik, shkrimi akademik dhe kërkimi. Studentët patën mundësinë të njihen dhe të zhvillojnë më tej mënyrën e tyre kritike të të menduarit dhe si të mirë përdorin elementët nga bota e shkrimit akademik dhe kërkimit për të patur sukses jo vetëm prezantimin e tyre të debatit, por edhe rrugën e tyre drejt punësimit dhe sipërmarrjes. Gjithashtu ata u njohën më në detaje më disa nga rregullat kryesore të shkrimit akademik dhe çfarë gabimesh të evitojnë gjatë këtij procesi.
Turneu i ardhshëm i trajnimit po pret të zhvillohet në muajin e ardhshëm, ndaj na ndiqni.
Bëhu pjesë e debatit!