Të rinjtë përballen me sfida financiare në Kampe Finance në Elbasan, Kukës, Berat dhe Shkodër

Si mund ta menaxhojmë më mirë buxhetin tonë? Si ta kthejmë një ide biznesi në sukses? Këto ishin disa nga pyetjet kryesore me të cilat u përballën 129 nxënës nga Elbasani, Kukësi, Berati dhe Shkodra në Kampe Finance, të organizuara nga Junior Achievement Albania gjatë nëntorit dhe dhjetorit 2024.

Për disa orë intensive në secilin qytet, nxënësit nga shkolla si Mahir Domi, Kostandin Kristoforidhi, Dhaskal Todri, Arianiti, Vasil Kamami, Luigj Gurakuqi (Elbasan); Havzi Nela (Kukës); Drita e Dijes, Babe Dude Karbunara, Kristaq Capo (Berat); Peter Mahringer, Sherif Hoxha, Oso Kuka (Shkodër) u angazhuan në sfida financiare dhe sipërmarrëse, duke punuar në ekipe për të propozuar zgjidhje kreative për problemet e komunitetit të tyre.

Këto kampe u ofruan pjesëmarrësve një eksperiencë praktike mbi menaxhimin e financave, ndërtimin e një plani biznesi dhe marrjen e vendimeve strategjike. Nxënësit jo vetëm që testuan njohuritë e tyre në financa, por edhe zhvilluan aftësi të rëndësishme si puna në grup, mendimi kritik dhe komunikimi efektiv.

Duke u përballur me sfida të ndryshme dhe duke marrë këshilla nga ekspertë të fushës, të rinjtë u larguan nga kampet jo vetëm me një kuptim më të thellë të financave, por edhe me një frymë sipërmarrjeje që do t’i ndihmojë në hapat e tyre të ardhshëm profesionalë. Junior Achievement Albania vazhdon të qëndrojë pranë të rinjve shqiptarë duke sjellë programe inovative që i ndihmojnë ata të përgatiten për tregun e punës dhe sfidat e së ardhmes.